Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka propozuar që “Darka e Lamës”, e cila organizohet më 2 dhjetor, të jetë festë kombëtare.
Ai ka thënë se kjo ngjarje duhet të kthehet në mundësi për promovimin e prodhimeve vendore.
“Vlerësoj se ky aktivitet tradicional që organizohet nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ka zanafillën ideore nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duhet të ketë përmasa edhe më të gjëra në organizim në të gjitha nivelet deri në shënim e kremtim kombëtar në çdo familje. Këtë vit, ne e fillojmë këtë traditë edhe nga Ministria e Bujqësisë, me bindjen se ky aktivitet do të organizohet nga të gjitha nivelet institucionale e deri te çdo familje e çdo shtëpi, ku do të shtrohet Darka e Lamës me produkte bujqësore vendore, duke e kthyer këtë ngjarje në një mundësi ideale për promovimin e prodhimeve vendore”, ka shkruar Peci në Facebook.
Ai ka shtuar se në këtë kremtë duhet të falënderohen prodhuesit vendor për mundin dhe angazhimin e tyre në sektorin e bujqësisë.
“Në të ardhmen, do t’u propozoj institucioneve të Republikës së Kosovës që data 2 dhjetor të kremtohet si një datë e veçantë anembanë Kosovës”, është shprehur tutje ai.