Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër tij për grantet në bujqësi.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se sa ishte ministër askush nuk ka “më haraç për të përfituar grant”, se askush nuk përfitoi jashtë kritereve sipas ligjit dhe se nuk është gjetur asnjë dëshmi se ndikoi në përfitimin e vëllait të Fitore Pacollit, atëkohë deputete.
Ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, pati dorëzuar kallëzim penal ndaj Pecit me arsyetimin se vëllai i Pacollit kishte marrë grante nga Ministria.
Ndërsa, Peci ka thënë të premten se do të paraqesë kallëzim penal për kallëzim të rremë penal kundër Gurit, kryetarit të LDK-së dhe deputetes Hykmete Bajrami.
“Ndërkohë, gjatë intervistimit tim në prokurori, ‘mijushi’ i LDK-së, Guri, kishte deklaruar se mezi pret të shihemi në gjykatë. Po, në gjykatë do të shihemi, sepse nga sot fillon përgatitja e kallëzimit penal për kallëzim të rremë penal, të ideuar nga Lumir Abdixhiku, të nënshkruar nga Hykmete Bajrami dhe propaganduar me shpifje e paturpësi nga ‘tellalli’ i tyre, Guri” – shkroi ai.
Peci ka mohuar keqpërdorimin me grante teksa ka theksuar se në asnjë rrethanë nuk ka rekomanduar askënd për subvencione a grante.
“Një gjë është e sigurt: në asnjë rast, asnjëherë, ne asnje rrethane nuk kam kontaktuar askënd, udhëzuar ose rekomanduar as për subvencione, as për grante, as për ndonjë shpallje, kontratë apo tender, tek grupet profesionale, në këtë proces. Jam krenar që ky institucion do të ketë sukses edhe pas përfundimit të mandatit tim, nga punët e mira që lamë pas! Kushdo që ka objektiv dëmtimin e imazhit tim, le ta vazhdojë gjurmimin, por një gjë është e sigurt që qeverisja ime si ministër i bujqësisë shënon periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli” – theksoi tutje Peci.