Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të vazhdojë të ndajë shtesa prej 100 euro për punëtorët dhe të papunët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga. Në partinë opozitare kërkuan që edhe paga minimale të jetë më e lartë se 300 euro dhe veteranët e UÇK-së të paguhen në lartësinë e saj.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci në një konferencë për medie tha se Qeveria Kurti diskriminoi shumë kategori.
“Me këto vendime qeveritarët edhe një herë dëshmuan se vendosën për formula ad-hoc, me shumë variabla të pazgjidhshme, por me vetëm një konstante diskriminimi i shumë kategorive dhe i të papunëve. Pra, në vend të mbështetjes meritore zgjodhën lëmoshën. Në vend të ndihmës për të papunët zgjodhën diskriminimin dhe harrimin e tyre. Në vend të barazisë sociale zgjodhën thellimin e hendekut të pabarazisë sociale. E kur vetveten e kanë futur në kurthin e premtimeve të veta të rrejshme, e pakta që mund ta bëjnë është që të vazhdojnë për të gjithë punëtorët të ndajnë nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të pagave dhe të Ligjit për pagën minimale në vend… Qytetarët, me shumë të drejtë, po kërkojnë që paga minimale të jetë më e lartë nga ajo që ka propozuar Qeveria dhe se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro”, tha ai.





