Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se rritja e pagës minimale mbi 300 euro dhe tërheqja e 30 për qind të kursimeve nga Trusti, janë zgjidhja e duhur për të ndaluar varfërimin e qytetarëve.
Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, Stavileci ka thënë rritja e pagave dhe tërheqja e mjeteve nga Trusti duhet të ndodhin sa më shpejt.
“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejtë. Rritja e pagave, rritja e pagës minimale mbi 300 euro dhe tërheqja e trustit”, ka thënë ai.
Stavileci, duke kritikuar politikat qeverisëse, ka thënë se ende pa i kaluar pasojat e rënda të njërës krizë, qytetarët po goditen nga efektet e pamëshirshme të krizës tjetër, që janë rritja e çmimeve. Ai bërë një prezantim që pretendon se është gjendja e familjeve kosovare, se si ato kanë jetuar më parë dhe si po jetojnë sot.
“Më lejoni t’ua prezantojë të dhënat e fundit në kohë reale për shportën e prodhimeve bazë për të jetuar. Në këtë krizë të madhe ekonomike, të gjitha familjet po mundohen ta gjejnë rrugën e ekzistencës, e edhe aktorët e tregut atë të mbijetesës për t’i mbuluar shpenzimet dhe për t’i kryer obligimet ndaj shtetit”, ka thënë Stavileci.
Stavileci ka thënë se populli duhet ta ketë vëmendjen e pushtetit, pasi kriza po thellohet.
“Ky pushtet në vend se të ishte në ulësen e parë për t’i dhënë zgjidhjes drejtimin, ka braktisur atë për t’i bërë krizës thellimin. Pushtetit po i mungon veprimi e po i rritet mosdëgjimi. Padija dhe mosdëgjimi po e ushqejnë arrogancën, injorimin dhe diskriminimin e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Kjo shportë e pakuar e familjeve për t’u mbushur përsëri ashtu siç ishte dikur, duhet ta ketë vëmendjen e pushtetit dhe përmbushjen e veprimeve të qeverisë, për të cilat ajo duhet të ketë vizion dhe kurajë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pas fitores së 450 mijë familjeve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, do ta vazhdojnë punën për gjetjen e rrugëdaljes për ta kthyer fuqinë blerëse të familjeve.
