Partia Demokratike e Kosovës ka përjashtuar tre anëtarë të saj, të cilët ka thënë se e kanë shkelur vendimin e Këshillit Drejtues për të pezulluar çdo komunikim zyrtar dhe bashkëpunim institucional me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Në një njoftim të PDK-së të premten, pas mbledhjes së Kryesisë, është përsëritur kërkesa për zgjedhje sa më të shpejta.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja në Kosovë, për shtetin dhe qytetarët, është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.Përfshirja e këtij pushteti në afera të ndryshme, prej atyre me energjinë, rezervat shtetërore, tekstet shkollore, trafikimin e substancave narkotike, keqmenaxhimin e institucioneve të ndryshme dhe keqpërdorimet e shumta të detyrave zyrtare – shpërfaqin karakterin e vërtetë të kësaj Qeverie. PDK shpreh shqetësimin e madh që si pasojë e kësaj qeverisjeje, mbi 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit, është rritur kosto e jetesës dhe çdo ditë po rritet numri i familjeve kosovare që po shkojnë drejt pragut të varfërisë. Për më shumë, është dëmtuar mirëqenia e qytetarëve dhe progresi i shtetit, ku si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, janë dëmtuar aleancat strategjike të shtetit dhe Kosova ka humbur një sërë fondesh të mëdha ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Në njoftim theksohet se tre anëtarët e përjashtuar janë të degës së PDK-së në Gjilan.
“Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, thuhet në njoftim.
PDK-ja ka thënë se Qeveria Kurti “ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme”.
“Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, përfundon deklarata e PDK-së.