Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Prizren, ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, duke e cilësuar si të ndikuar dhe nën kontrollin e plotë të pushtetit qëndror.
Në një komunikatë për media, PDK ka theksuar faqja zyrtare e universitetit tashmë përdoret për propagandë dhe reklamë të aktiviteteve të pushtetit.
“Në vazhdën e kapjes së institucioneve të pavarura në gjithë Kosovën, nga pushteti aktual, sot, u konfirmua se edhe Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” është i ndikuar dhe nën kontrollin absolut të pushtetit. Ashtu siç dhe pritej nga zgjedhjet e fundit, në menaxhim të këtij institucioni, faqja zyrtare e universitetit tashmë përdoret për propagandë dhe reklamë të aktiviteteve të pushtetit.
Nënshtrimi i këtij institucioni të rëndësishëm akademik ndaj pushtetit përveç që e dëmton rëndë imazhin e institucionit, dëmton edhe studentët, profesorët dhe stafin profesional të institucionit, të cilëve po u bëhet presion indirekt për ngjyrosje politike.
Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” duhet t’i shërbej studentëve për edukim dhe jo partisë në pushtet për propagandë politike”, thuhet në fund të komunikatës së Partisë Demokratike të Kosovës dega në Prizren.