Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh kryetari i degës së saj në Prizren, Shaqir Totaj, ka deklaruar se dega e PDK-së në Prizren ka reflektuar me përgjegjësi politike dhe morale pas zhvillimeve që lidhen me procesin e numërimit të votave në zgjedhjet nacionale të dhjetorit 2025.
Totaj ka bërë të ditur se, pas kompromitimit të procesit të numërimit të votave, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte kërkuar reflektim dhe përgjegjësi nga lidershipi i degës së partisë në Prizren.
Sipas tij, pas konsultimeve të brendshme, dega e PDK-së në Prizren ka marrë vendime në frymën e përgjegjësisë politike dhe morale.
Totaj ka theksuar se personat emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kontestuar nuk janë propozuar nga dega e PDK-së në Prizren për të qenë pjesë e listës së kandidatëve, ndërsa disa prej tyre, sipas tij, janë tërhequr publikisht nga gara deri në përfundimin e procesit ligjor.
Megjithatë, ai ka shtuar se në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë edhe kandidatë emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kompromituar të numërimit të votave.
Pavarësisht kësaj situate, Totaj ka deklaruar se dega e PDK-së në Prizren do ta vazhdojë garën me përkushtim të plotë dhe kontribut maksimal.
Në vijim, ai ka publikuar edhe listën e kandidatëve të propozuar nga dega e PDK-së në Prizren: Faruk Bojaxhiu, Jona Hoxhaj, Shkëlzen Kastrati, Endra Luzha, Adelina Beqiri-Minci, Betim Ramadani, Lumnije Rakaj, Xhafer Hoxha dhe Lajde Kolgjeraj.