Partia Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën zgjedhore edhe në Dragash. Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar programin e tij qeverisës përmes të cilit synon zhvillim ekonomik e përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, para qytetarëve në Dragash premtoi se do të punojë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe shtimin e kapaciteteve energjetike.
Hamza tha se programi i tij qeverisës është i fokusuar në mirëqenien e qytetarëve.
“Do të kthehen pensionet e financuara, do t’u lejohet dhe do t’u njihet e drejta që të punojnë në sektorin privat pa pasur nevojë që t’u ndalohen pensionet që menaxhohen përmes buxhetit të Kosovës. Invalidve do t’u sigurohet dhe garantohet shërbimi falas, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, tha Hamza.
Hamza u bëri thirrje edhe bashkatdhetarëve në diasporë që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
