Me gjithë gatishmërinë e shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike ende nuk janë koordinuar për mënyrën se si të arrihet deri te to. PDK-ja ka propozuar të dielën e parë të qershorit për mbajtjen e tyre, derisa AAK-ja thotë se me propozimin për datë nuk mund t`i paraprihet procesit.
Partia Demokratike e Kosovës pret që edhe partitë e tjera, përfshirë edhe Vetëvendosjen, t`i bashkohen propozimit të saj që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 9 qershor.
Betim Gjoshi, sekretar në PDK, ka bërë thirrje që qysh në seancën e radhës të iniciohet shpërndarja e Kuvendit, e kësisoj vendi të shkojë në zgjedhje.
Gjoshi ka paralajmëruar bashkërendim me partitë e tjera opozitare në këtë drejtim, pa dashur të tregojë nëse do të jetë PDK-ja ajo që do t’i prijë këtij procesi.
“Na në jetën parlamentare koordinohemi edhe me partitë e tjera, kemi një koordinim të mirë me shefat e grupeve parlamentare dhe liderët partiak, besoj që zgjedhjet është mirë të shikohen me një konsensus për arsye se edhe rezultati është më lehtë i pranueshëm. Me rëndësi është që qytetarët e Kosovës kanë kërkues që të ketë zgjedhje në këtë vend se janë të pakënaqur me qeverisjes që është sot”, ka thënë ai.
Por, me propozimin e përkrahur nga PDK-ja për shpërndarje të Kuvendit, nuk pajtohet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas tij, para se të flitet për datën, partitë duhet të koordinohen për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje.
“Ne kemi mocion për shkarkim të Qeverisë, kështu është radha e punëve nëse shkojmë drejt me shpërbërje të Kuvendit që kërkon 2/3-ën. Është kryesisht agjenda e Kurtit, që i bie PDK-ja po ia plotëson kërkesën Kurtit ose kanë koalicion me Kurtin për mënyrën se si të ecet përpara drejt zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj.
Në situatën aktuale, kur të gjitha partitë politike janë deklaruar për zgjedhje të parakohshme, por që s`kanë pajtim për mënyrën, sipas Arton Demhasajt, rol unifikues duhet të ketë presidentja.
Demhasaj ka thënë se dallimet që partitë kanë për formën se si të shkohet në zgjedhje, janë kalkulime politike të tyre.
“Presidentja është ajo që duhet t’i ftojë partitë politike në një takim të përbashkët ose edhe individual për të diskutuar për alternativat ose për mundësitë që vendi të shkojë në zgjedhje. Dhe pastaj të përzgjidhet se cila është alternativa që gëzon më shumë përkrahje politike për të arritur që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Demhasaj.
Në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme e gjetjen e mënyrës për shpalljen e tyre, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga LDK-ja e partia në pushet Lëvizja Vetëvendosje.