Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se e mbështet dhe inkurajon Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër, në një njoftim për media pas takimit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e Asociacionit.
Në komunikatën për media, PDK-ja ka thënë se e “vlerëson lartë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi”.
“Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente. Rrjedhmisht, PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër. Partia Demokratike e Kosovës do të japë gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Të martën në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë u mbajt një diskutim i mbyllur me zyrtarë shtetërorë, liderë politikë, diplomatë e organizata të shoqërisë civile, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në emër të PDK-së i pranishëm ishte Bernard Nikaj.