Kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, qëllimisht e ka ndërprerë seancën e së mërkurës, kur në radhë ishte pika për shqyrtimin e tërheqjes së kursimeve nga Trusti.
Tahiri ka thënë në një konferencë për media të mërkurën, pas ndërprerjes së seancës, se në momentin kur është bërë ndërprerja, në sallë ishin të pranishëm ishin 80 deputetë.
“Në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca pikërisht kur ishim te pika e Trustit. Seanca duhet të ndërpritet me votim, kështu ka ndodhur përpara. Prezent ishin 80 deputetë, prandaj nuk kishte arsye të mos vazhdohej. Nuk e di se cilat kanë me qenë arsyet nesër për ta penguar edhe më tutje debatin dhe votimin, kjo është një kërkesë e qytetarëve. Këta kanë një angazhim tepër të madh që kjo iniciativë ligjore që mundëson 10-30% të mjeteve nga Trusti të mos kalojë”, ka thënë Tahiri.





