LAJME

PDK-ja largohet nga seanca pas mospajtimeve për rezolutën që mbron dinjitetin e viktimave të luftës

PDK-ja largohet nga seanca pas mospajtimeve për rezolutën që mbron dinjitetin e viktimave të luftës
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Prill 2026, 09:55

PDK-ja largohet nga seanca pas mospajtimeve për rezolutën që mbron dinjitetin e viktimave të luftës.

Draft-rezoluta në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës e propozuar nga PDK-ja dhe kërkesa që të trajtohet si pikë e parë të rendit të ditës, ka qenë pika e parë e mospajtimit në këtë seancë mes pushtetit dhe opozitës. Vetëvendosja ka kërkuar që teksti të harmonizohet edhe me propozimet e tyre, ndërkohë opozita ka deklaruar se meqë tekstin e kanë dërguar të mërkurën dhe që sipas tyre kohë kanë pasur ta analizojnë, rezoluta të votohet sot para secilës pikë tjetër.

Meqë as pas konsultimit të shefave të grupeve parlamentarë nuk u arrit kompromis, PDK-ja vendosi ta tërheqë propozimin dhe të largohet nga salla.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se arsyeja pse po kërkojnë që votimi i rezolutës të jetë para secilës pikë, është për shkak të rëndësisë që ka.

“Sot kemi një sfidë edhe me të thellë dhe më të rrezikshme përpjekjen për ta shtrembëruar historinë tonë. Ne kemi dhënë një draft-propozim jemi të gatshëm ta diskutojmë dhe kërkojmë të futet në rend dite si pikë e parë para pyetjeve parlamentare. Nuk ka kuptim qe sot Kuvendi të sillet normalisht pa e trajtuar këtë çështje”, ka thënë ajo.

Çitaku ka thënë se të gjithë deputetët kanë pasur kohë të mjaftueshme të japin komentet e tyre për rezolutën, duke shtuar se tekstin e kanë dërguar të mërkurën te të gjithë deputetët.

Ka shtuar se përkundër kësaj, mund të ulen të diskutojnë për tekstin. Por, ka insistuar që rezoluta të jetë pikë e parë e rendit të ditës.

Shefja e GP të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë të gatshëm të kontribuojnë në tekstin e draft-rezolutës dhe si të tillë ta përkrahin. Por nuk është pajtuar që të votohet pa u konsultuar.

“Ashtu sikurse e diskutuam në takimin e kryesisë, LVV-ja është e interesuar dhe e gatshme të kontribuojë në këtë çështje. Ne jemi të gatshëm të delegojmë një deputet dhe të punojnë gjatë ditës si pjesë e një grupi të përbashkët dhe në fund të ditës te sjellim një draft të harmonizuar të rezolutës”, ka thënë ajo.

Shefja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se e kanë lexuar tekstin e rezolutës dhe e mbështesin.

“LDK-ja e ka shqyrtuar tekstin dhe në parim pajtohemi për të sepse mendojmë që është obligim shtetëror ta mbrojmë të vërtetën dhe të kaluarën. Jemi te gatshëm të bëhemi pjesë e grupit punues dhe të kontribuojmë në të”, ka thënë ajo.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se tekstin e rezolutës e kanë pranuar dje dhe i kanë dhënë komentet e tyre.

Ai ka propozuar që në rend të ditës duhet të futet si pikë e parë.

“Sot kemi pasur një takim në mëngjes ku jemi pajtuar të kemi një përmbajtje të përbashkët. Rrethanat në të cilat është sot Kuvendi na obligojnë ta kemi një qëndrim. Propozimi im është gjithashtu të jetë si pikë e parë. Nuk besoj qe ka nevojë për shkencë të madhe”, ka thënë ai./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika