LAJME

PDK-ja kundër rritjes së re të tarifave të energjisë: 21% më shtrenjtë, barrë e papërballueshme për qytetarët

PDK-ja kundër rritjes së re të tarifave të energjisë: 21% më shtrenjtë, barrë e papërballueshme për qytetarët
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Janar 2026, 15:51

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj paralajmërimeve për një rritje të re të tarifave të energjisë elektrike deri në 21 për qind, duke e konsideruar këtë si goditje të rëndë ndaj familjeve kosovare.

“Në një kohë kur qytetarët tanë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë, një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend. Shumë familje në vendin tonë tashmë janë në kufijtë e mbijetesës financiare, ndërsa ky vendim do të sillte pasiguri shtesë, rritje të varfërisë dhe cenim serioz të mirëqenies së tyre” – shkruan PDK.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta transferuar barrën e keqmenaxhimit dhe dështimeve në sektorin e energjisë mbi qytetarët.

“Energjia elektrike është një nevojë bazike dhe trajtimi i saj si e tillë është detyrim institucional. Për këto arsye, PDK-ja kundërshton fuqishëm çdo propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike dhe u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, që t’i refuzojnë këto kërkesa dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve të Kosovës” – thekson tutje PDK.

Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me angazhimin e saj për zbardhjen e aferave në sektorin e energjisë, për rritjen e llogaridhënies institucionale dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga politika që rëndojnë jetën e tyre të përditshme.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika