Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil.
Kështu ka bërë të ditur koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, i cili tha se kërkesën e dërgoi bashkë me avokatin e PDK-së.
“Sot unë bashkë me avokatin e PDK-së, jemi këtu në Gjykatën Kushtetuese për të dërguar kërkesën për vlerësimin e kushtueshmërisë të ligjit për ndryshimin e ligjit aktual për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil të Kosovës”.
“Ne në fillim të këtij mandati e kemi kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli në këtë Gjykatë Kushtëtuese dhe Gjykata Kushtetuese na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucioni”.
“Fatkeqësisht ky ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që i ka bërë gjykata në atë vendim paraprak, prandaj ne sot kemi kontestuar prapë ndryshimet në këtë ligj, ndryshime të cilat dua të them në emër të PDK-së që kanë vetëm një qëllim, ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, Këshillin e Pavarur për Shërbyes Civil”, është shprehur Gruda.