Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë qëndrimin e saj sa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Bernard Nikaj, sekretar për Marrëdhënie Ndërkombëtare i PDK-së, tha nuk do të ketë votë “blanko” për asnjë kandidat pa një dakordim paraprak.
Edhe pse LVV ka fituar mbi 50% të votave dhe mund ta formojë qeverinë e vetme, numrat për zgjedhjen e Presidentit kërkojnë prezencën e 80 deputetëve në sallë, gjë që e vendos opozitën në një pozicion kyç.
Nikaj ka kujtuar qëndrimin e PDK-së nga viti 2021, duke shtuar se partia e tij nuk do të lëkundet nga parimet e saj, pavarësisht presionit apo “kërcënimeve” me zgjedhje të reja.
“Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar të votojë vetëm për një kandidat të cilin e propozon z. Kurti pa një marrëveshje ose diskutim politik. Edhe kësaj radhe nuk ka asnjë arsye që ne, pa një diskutim politik apo dakordim, të shantazhohemi ose të kërcënohemi në votimin e cilitdo kandidat”, deklaroi Nikaj në Klan Kosova.
Pas rezultatit rekord të 28 dhjetorit, Albin Kurti e ka rrugën e hapur për Kryeministër, por nyja e vërtetë politike mbetet posti i Presidentit. Pa një marrëveshje me partitë opozitare, veçanërisht me PDK-në apo LDK-në, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje nëse dështojnë tri raundet e votimit për kreun e shtetit.
