Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të dorëzojë sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e kryesuesit të përkohshëm të seancës konstituive të Kuvendit.
Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, bëri të ditur se kallëzimi do të dorëzohet mbi bazën e dyshimit për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Nuk mund të ketë asnjëherë një situatë ku një person publik ka autorizime zyrtare, të cilat nuk i përdorë ose i përdorë në mënyrë kundërligjore dhe të mos ketë pasoja. Ne jemi shoqëri e organizuar në shtet, nuk jemi shoqëri e organizuar në fis. Prandaj, z. Dehari duhet ta dijë që nuk është i pari i fisit, por është kryesues i një organi të shtetit dhe kërkohet që të veprojë”, tha Gruda.
Në kallëzimin e PDK-së, Dehari, në cilësinë e deputetit më të vjetër në moshë dhe kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës XI, dyshohet se nga 8 gushti 2026 e në vazhdim nuk e ka përmbushur detyrën e tij për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.
PDK vlerëson se Dehari ka tejkaluar kompetencat e rolit të tij procedural duke e kushtëzuar vazhdimin e seancës me arritjen e një marrëveshjeje politike, pavarësisht kërkesave të përsëritura me shkrim nga grupet parlamentare opozitare, sipas tyre.
Në kallëzim thuhet se përmenden kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive.
PDK vlerëson se mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje sipas tyre, ndërsa thonë se veprimet e Deharit i kanë shërbyer kësaj agjende.
Deputeti Përparim Gruda tha se PDK pret nga Prokuroria Speciale trajtimin e kallëzimit në përputhje me ligjin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së mundshme penale lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.