Faza grupore e Ligës së Kampionëve është ende larg për klubet kosovare të futbollit. Por jo e Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të kupave evropiane në futboll. Ballkani ka dëshmuar se mund të matet me ekipet tjera të Ligës së Konferencës. Dhe synon ta bëjë sërish këtë.
Pas suksesit në kampionatin e Kosovës, Ballkani i Suharekës synon suksese tjera në Evropë.
Ballkani të shtunën fitoi për herë të dytë rresht titullin e kampionit të Kosovës. Falë këtij suksesi, skuadra nga Suhareka do ta nisë rrugëtimin në Evropë nga faza kualifikuese e Ligës së Kampionëve. Në klubin e Ballkanit pranojnë se do ta kenë të vështirë përsëritjen e suksesit të edicionit të kaluar.
“Në Evropë edhe kundërshtarët e njohin më mirë Ballkanin, njohin ndeshjet e bukura dhe do ta kenë më vështirë. Synojmë ta përsëritim suksesin e edicionit të kaluar dhe ta mbushim stadiumin legjendar ‘Fadil Vokrri’, pasi nuk është krenari vetëm për klubin Ballkani, por edhe për gjithë Kosovën. Atje përfaqësojmë gjithë popullin. Atje përfaqësojmë gjithë futbollin tonë”, ka thënë Armend Thaqi të dielën për KOHËN. Ai është prej lojtarëve kryesorë të Ballkanit.
Ballkani është paraqitur vjet në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Madje ishte në garë për të avancuar edhe prej grupit. Në Ligën e Konferencës vazhdoi, pasi u ndal në kualifikimet e Championsit./koha/