Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të jetë aktive dhe çdo ditë do të jetë në Kuvend. Kështu ka deklaruar Vlora Çitaku, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, në një konferencë për media, pak orë pas tensioneve e përplasjeve në mes deputetëve të PDK-së, Aleancës e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend sot, më 12.08.2026.
Ashtu siç bën thirrje për mbajtjen e seancës për konstiuuimin e Kuvendit gjatë përplasjeve me deputetët e partisë në pushtet, Çitaku përsëri bëri këtë thirrje para gazetarëve.
“Zoti [Avni] Dehari po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij. Dhe tani, pas kërkesës sonë, u refuzua ftesa për thirrjen e seancës. Kemi një model të sjelljes politike: Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie politike. Kjo është e papranueshme.” – ka deklaruar Çitaku. “Përmes bllokimit të konstituimit të Kuvendit, Albin Kurti po na pamundëson ushtrimin e detyrës që na kanë dhënë qytetarët… Andaj edhe sot e kemi një thirrje për Albin Kurtin: ta kthejë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin, t’u lejojmë deputetëve t’i ushtrojnë mandatet e tyre. Ta lëmë Republikën që të funksionojë. Ne nuk po kërkojmë pushtet, marrëveshje për PDK-në, po kërkojmë funksionalizim të shtetit. ” – ka theksuar ajo.
Sipas Çitakut, Kosova nuk ka nevojë për tensione të reja. Ajo i ka vlerësuar pamjet e sotme të deputetëve gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit si “jo të këndshme”, ndërkohë që salla ishte e hapur për vizitë nga mërgimtarët. Çitaku paralajmëroi se do të marrin masa në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) për pjesëtarët e sigurisë e mbrojtjes së afërt që sipas saj “cenuan integritetin fizik të disa prej deputetëve të PDK-së.”, derisa ishin në Kuvend. “Shteti është i bllokuar. Këtë nuk do ta lejojmë, do ta shihni edhe gjatë ditëve në vijim. PDK do të jetë aktive, ne do të jemi çdo ditë në Kuvend.” – tha ajo. Në anën tjetër, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, gjatë ditës ka deklaruar përmes profilit të tij në Facebook se pa një marrëveshje politike, çdo vazhdim i saj do të ishte “seancë shterpë”./kallxo.com/