Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se po mungon një qëndrim i qartë i LDK-së.
Gashi ka thënë se, në një situatë të tillë, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi dhe angazhim për shtetin dhe Republikën.
“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Sipas tij, në këtë moment kritik “po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së”.
“Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”, ka deklaruar ai.
Në fund, deputeti i LDK-së i ka bërë thirrje partisë së tij që të reagojë.
“Është koha që LDK-ja të flasë”, ka përfunduar Gashi.
Në Kuvend po qëndrojnë deputetë të PDK-së e Aleancës, tek po kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive.
Aty nuk janë deputetët e LDK-së.