LAJME

Pas reshjeve të shiut, e shtuna sjell mot me diell dhe temperatura deri në 23 gradë

Pas reshjeve të shiut, e shtuna sjell mot me diell dhe temperatura deri në 23 gradë
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Qershor 2026, 06:16

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut që përfshinë vendin gjatë ditës së djeshme kanë pasur ndikim pozitiv në mjedis dhe në sektorë të ndryshëm të jetës.

Sipas institutit, reshjet kanë përmirësuar lagështinë e tokës, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Po ashtu, ato kanë ndikuar në uljen e përqendrimit të ndotësve në atmosferë dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit, ndërsa kanë kontribuar edhe në rritjen e rezervave ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore, të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe ruajtjen e ekosistemeve natyrore.

Për ditën e shtunë, më 13 qershor, parashikohet mot kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara në të gjithë territorin e Kosovës.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 20 deri në 23 gradë Celsius.

Ndërkaq, era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, fundjava pritet të karakterizohet me kushte të qëndrueshme atmosferike dhe temperatura të këndshme për këtë periudhë të vitit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika