LAJME

Pas operacionit të kërkimshpëtimit, shpëtohen dy shtetase të huaja në malin Sharr

Pas operacionit të kërkimshpëtimit, shpëtohen dy shtetase të huaja në malin Sharr
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Maj 2025, 09:19

Dje rreth orës 08:00, dy shtetase të huaja, të cilat po qëndronin në hotelin “Luboteni” në Brezovicë, janë nisur për një ecje malore në bjeshkët e Sharrit. Gjatë rrugëtimit të tyre, për shkak të kushteve të vështira dhe terrenit të panjohur, ato kanë humbur rrugën.

Rreth orës 20:50, policia në Shtërpcë ka pranuar një informatë se dy alpinistet kishin humbur rrugën dhe ndodheshin diku në zonën malore të Sharrit, por pa ditur saktësisht vendndodhjen e tyre. Përmes një audio-incizimi, ato kishin treguar gjendjen e tyre të rënduar dhe pamundësinë për të vazhduar më tej.

“Menjëherë, policia rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke aktivizuar njësitë relevante dhe duke kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës. Pas disa orësh kërkimesh intensive dhe përpjekjeve të koordinuara, më 22.05.2025, rreth orës 03:00, dy shtetaset e huaj janë gjetur në bjeshkët e fshatit Gotovushë” thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, ato janë transportuar menjëherë me autoambulancë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile, përveç një lëndimi të lehtë në këmbë tek njëra prej tyre. Me këtë rast, policia ka falënderuar të gjitha strukturat e përfshira në këtë operacion, në veçanti Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, njësitë policore të të gjitha niveleve, qytetarët dhe të gjithë ata që kontribuuan në gjetjen dhe shpëtimin e suksesshëm të dy alpinisteve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika