Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj përmes një vendimi ka miratuar kërkesën e kryesueses së Kuvendit, Antigona Berisha-Bytyqi për realizimin e një vizite pesë ditore në Turqi për kuvendarët dhe katër zyrtarët komunalë.
Me këtë vendim është lejuar zhvillimi i procedurave të prokurimit për organizimin e vizitës.
“Miratohet kërkesa e Kryesueses së Kuvendit të Komunës së Prizrenit, e bazuar në vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nr. 001/011-28964, datë 27 shkurt 2025, për lejimin realizimit të një vizitë pune me qëndrim pesë ditor për 41 anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe 4 personave të stafit të punëtorëve të Komunës, për në Republikën e Turqisë, kështu që, lejohet udhëtimi, pagesa e shpenzimeve përkatëse dhe të mëditjeve për pjesëmarrësit në këtë vizitë, dhe për këtë qëllim lejohet shpallja e tenderit për mbledhjen e ofertave përkatëse”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Totaj, raporton Telegrafi.Aty sqarohet se gjatë kësaj vizite do të trajtohen disa tema që ndërlidhen me shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin mes Kuvendeve të Komunave.
“Temat që do të trajtohen gjatë vizitës do të jenë: Shkëmbimi i përvojave për format dhe funksionimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Turqisë; Bashkëpunimi mes Kuvendeve të Komunës; Praktikat parlamentare të Kuvendeve të Komunave;
Funksionimi i qendrave historike dhe turistike, etj.”, thuhet në vendim.
Në të njëjtën kohë është theksuar se mjetet financiare për këtë vizitë pune do të sigurohen buxheti komunal përkatësisht pozicioni i subvencioneve dhe transfereve të Zyrës së Kryetarit si dhe nga kategoria e mallrave e shërbimeve të Komunës së Prizrenit.
Për zbatimin e këtij vendimi janë obliguar Zyra e Kuvendit të Komunës, Sektori i Prokurimit dhe Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave, raporton Telegrafi.
Realizimi i vizitës në Republikën e Turqisë për kuvendarët e Prizrenit ishte planifikuar edhe në vitin e shkuar. Mirëpo muaj më parë, aktiviteti përkatës i prokurimit ishte anuluar nga Zyra e Prokurimit, me arsyetimin se nuk ka pasur oferta të përgjegjshme.Në tenderin e shpallur në vitin e shkuar nga Komuna e Prizrenit, parashihej realizimi i një vizite pune me qëndrim 5 ditor për 41 anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit si dhe 4 punëtorëve të Komunës për në Republikën e Turqisë, dhe për një ditë në Selanik të Greqisë.
Vlera e parashikuar e kontratës vjet ka qenë 27 mijë euro.