Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka reaguar pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Ajo në një postim në Twitter ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë dhe e dënon fuqishëm si akt.
“Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovarë që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”, thuhet në postim.
Ndryshe, Ambasada e Kosovës është hapur sot zyrtarisht në Jerusalem.
Reagimi i plotë:
Njoftim për shtyp në lidhje me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem
Ne e presim hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem me shqetësim të thellë dhe e dënojmë atë fuqimisht.
Vendimi i marrë nga udhëheqësit e një populli që duroi vuajtje të mëdha për hir të fitimit të pavarësisë së tij, duke injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve, të cilët kanë jetuar nën okupim për dekada dhe kanë vuajtur shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, është jashtëzakonisht për të ardhur keq.
Duke vepruar kështu, udhëheqësit kosovarë kanë vepruar kundër parametrave të vendosur në procesin e paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara mbi statusin e Jerusalemit, duke minuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe perspektivat e paqes në rajon.
Ne i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të dëgjojnë arsyen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm.