Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka mbajtur takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në këtë takim është vlerësuar situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, e cila ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit për 7.7 %, me trend të rritjes në tri ditët e fundit të kësaj jave nga 320 raste në 422 raste në mesatare këtë javë (24,1%).
“Për këtë qëllim, janë dhënë një mori rekomandimesh duke u bazuar në situatën epidemiologjike në vend, ku është theksuar nevoja që Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale të zbatojnë në përpikëri Ligjin Anti-COVID, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të IKSHPK dhe MSH në të gjithë sektorët”.
Sipas përfaqësuesve të IKSHPK-së, rekomandohet rigorozitet i masave për të ndalur trendin e rritjes së rasteve me virus.





