LAJME

Pas deklaratës së Rashiqit, Asociacioni rikthehet në diskursin politik, partitë me qëndrime të ndryshme

Pas deklaratës së Rashiqit, Asociacioni rikthehet në diskursin politik, partitë me qëndrime të ndryshme
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Nëntor 2026, 13:59

Deklarata e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, se Qeveria e Kosovës tani është më e gatshme për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka rikthyer këtë çështje në diskursin politik në vend.

Pas kësaj deklarate, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë mohuar se ka ndryshuar qëndrimi i partisë apo i Qeverisë ndaj Asociacionit.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se qëndrimi mbetet i njëjtë me atë të deklaruar edhe më parë nga kryeministri Albin Kurti.

“Qëndrimi i LVV-së dhe ai i Qeverisë është ai që ka qenë. Është publik, është transparent dhe janë deklaratat e vazhdueshme të kryeministrit në lidhje me këtë çështje. Kështu që, ne qëndrojmë në të njëjtin diskurs dhe qëndrim që kemi pasur edhe përpara”- ka deklaruar Nagavci për media më 09.11.2026.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka theksuar se Kosova duhet të dëshmojë se është shtet që respekton obligimet ndërkombëtare.

Sipas saj, Qeveria duhet t’i definojë qëndrimet zyrtare dhe të ndërmarrë hapat që i takojnë në raport me Asociacionin.

“Gjithsesi Kosova duhet të dëshmojë se është shtet që obligimet ndërkombëtare i merr. Duhet të formojë qëndrimet e saj zyrtare si Kosovë. Qeveria në këtë rast është akteri kryesor që duhet ta definojë si i qaset Asociacionit”- ka deklaruar Lushaku.

Ajo ka rikujtuar se LDK-ja e ka kritikuar Marrëveshjen e Ohrit dhe qasjen e Qeverisë ndaj Asociacionit, duke theksuar se përgjegjësia për hapat e ardhshëm i takon ekzekutivit.

Ndërkaq, nga Aleanca, shefi i grupit Besnik Tahiri ka rikujtuar se Marrëveshja e Ohrit parasheh zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme ndërkombëtare. Megjithatë, ai ka thënë se vendi përballet me probleme më të mëdha, të cilat kërkojnë vëmendje.

“Qeveria e kaluar e ka miratuar Marrëveshjen e Ohrit. Në atë marrëveshje specifikisht thuhet që të gjitha marrëveshjet e deritanishme ndërkombëtare duhet të jenë të zbatueshme. Dhe kjo marrëveshje është në uebfaqen e BE-së. Unë nuk befasohem në raport me këtë temë. Por, Kosova ka probleme shumë më të mëdha që lidhen me koston e jetesës, çmimin e energjisë, me shërbimet bazike që jep arsimi dhe shëndetësia”- ka thënë Tahiri.

Në një intervistë për gazetën Express, Rashiq ka deklaruar se pret një gatishmëri më të madhe të Qeverisë për këtë çështje.

“Shiqo, është një obligim si çdo pikë që është brenda marrëveshjeve dhe nuk mund të zhduket, ato janë në tavolinë dhe vetëm varet prej nesh se kur do të veprojmë në atë drejtim. Konsideroj që Qeveria e Kosovës, ku edhe unë jam pjesë e saj, besoj që është më e gatshme tani, në një moment edhe pothuajse revolucionar apo historik, ku ndoshta marrëdheniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe. Sipas meje, ky është momenti kur të gjithë ne duhet të japim kontributin dhe të jemi të armatosur me durim, tolerancë dhe bashkëkuptim”- ka thënë ai.

Çështja e Asociacionit lidhet me Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën në mars të vitit 2026 u shënuan tri vjet nga arritja e dakordimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja prej 11 nenesh parasheh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, përfshirë një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme të arritura në kuadër të dialogut.

Megjithatë, zbatimi i saj vazhdon të mbetet i kufizuar.

Edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton mungesën e hapave vendimtarë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të saj. Komisioni Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i përmbushin obligimet e marra në kuadër të dialogut, pa vonesa dhe pa parakushte.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika