LAJME

19 zyrtarë të rinj policorë fillojnë detyrën në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren

19 zyrtarë të rinj policorë fillojnë detyrën në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Nëntor 2026, 13:31

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën, më datë 09.11.2026, 19 zyrtarë të rinj policorë kanë filluar detyrën në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

Me këtë rast, zyrtarët e rinj policorë u pritën nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kolonel Faton Alija, së bashku me stafin komandues.

Siç bëhet e ditur në njoftim, fillimisht, drejtori Alija i përgëzoi zyrtarët e rinj për vendimin dhe gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës, duke u uruar suksese në rrugëtimin e tyre të ri profesional.

Ai theksoi se detyra e policit nuk është vetëm një profesion apo vend pune, por mbi të gjitha është nder, përgjegjësi dhe shërbim ndaj qytetarëve dhe vendit.

Njëkohësisht, drejtori Alija kërkoi nga zyrtarët e rinj që detyrat dhe përgjegjësitë e tyre t’i kryejnë me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, duke ruajtur dhe kultivuar reputacionin e Policisë së Kosovës si një nga institucionet më të besueshme në vend.

Pas fillimit të detyrës, 19 zyrtarët e rinj policorë janë shpërndarë në stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, përkatësisht në Prizren, Suharekë dhe Dragash.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren u uron mirëseardhje dhe shumë suksese zyrtarëve të rinj në ushtrimin e detyrës së tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.” – thuhet në njoftim.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika