LAJME

Pas dëgjimit të 15 dëshmitarëve, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

Pas dëgjimit të 15 dëshmitarëve, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Korrik 2023, 13:20

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për këtë dëshmitar.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës ka deklaruar se deri te ky vendim kanë ardhur si rezultat i situatës së djeshme.

Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS, rreth disa dokumenteve.

Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

“Sa i takon kundërpyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarin”, ka deklaruar avokati Kehoe.

Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

E ish-krerët e UÇK-së seancën gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika