Pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi se deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë edhe 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, kryesia dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) do të mblidhet gjatë ditës së sotme.
Grupi Parlamentar i PDK-së është paraparë të mblidhet në orën 14:00, kurse deputeti i ketij subjekti, Përparim Gruda, të mërkurën reagoi pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Gruda tha se afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit para përfundimit të mandatit të presidentit aktual është obligues dhe detyrues, dhe kjo është pikërisht ajo që kanë theksuar vazhdimisht.
Kjo është njëra nga tri çështjet kryesore që deputeti Gruda thotë se i përcakton aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 25.03.2026, i cili konstatoi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani i datës 06.03.2026 për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik.
“Së dyti, përcaktohet se, në rast të shkeljes së këtij afati, Kuvendi duhet të shpërndahet ex constitutione, pra automatikisht, pa pasur nevojë për nxjerrjen e ndonjë dekreti. Së treti, Gjykata ka paraparë një afat shtesë prej 34 ditësh, duke e arsyetuar këtë si një rrethanë specifike, për shkak se Kuvendi është themeluar më 11 shkurt dhe nuk i ka pasur në dispozicion 60 ditë të plota.” – ka shkruar Gruda në Facebook.
Gruda shpjegon se afati 30-ditor nuk është zhvleftësuar por është konsideruar në kuadër të një situate specifike, për shkak se Kuvendi është konstituuar me vonesë, më 11.02.2026.
Presidentja Vjosa Osmani e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili konstatoi se dekreti i presidentes i datës 06.03.2026 për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik.