Pasi mbeti data e njëjtë e zgjedhjeve lokale, ndryshim nuk do të ketë as për ditët e fushatës, pasi mbetet në fuqi njëmuajshi i caktuar me ligjin për zgjedhje. Njohës të zgjedhjeve thonë se megjithatë subjektet mund ta reduktojnë fushatën e tyre. Por pavarësisht premtimeve se do t’i shkurtojnë ditët e fushatës dhe do t’i respektojnë masat anti-Covid, një gjë e tillë nuk po respektohet.
Nuk do të preket as njëmujori i rezervuar për partitë që të bëjnë fushatë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Një ditë pasi u vendos të mos shtyhet procesi zgjedhor, pas një rekomandimi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, KQZ-ja ka konfirmuar se zyrtarisht fushata nis të enjten. Por kryetari i këtij institucioni ka bërë thirrje për respektim të masave.
“Periudha e fushatës nuk mund të ndryshohet, pavarësisht rrethanave të krijuara. Andaj, duke pasur parasysh këtë fakt, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjitha subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre që gjatë kësaj periudhe në mënyrë strikte t’u përmbahen ligjeve dhe rregullave të KQZ-së”, ka thënë Kreshnik Radoniqi.
“Gjithashtu ajo që është më e rëndësishme, duke pasur parasysh se vendi jonë gjendet në një situatë të rëndë për shkak të pandemisë si pasojë e infektimeve dhe vdekjeve të shumta nga COVID-19, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe kandidatëve që t’i respektojnë masat mbrojtëse dhe kufizimet e vendosura nga qeveria. Shëndeti i qytetarëve tanë është i rëndësisë parësore, për të gjithë ne si institucione edhe ju si subjekte politike kemi për detyrë respektimin e këtyre masave me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve tanë”.
KQZ-ja po ashtu ka miratuar një qarkore, e cila do t’u përcillet subjekteve lidhur me qasjen e komisionerëve e vëzhguesve në vendvotime. Ata duhet të jenë të vaksinuar ose të kenë dëshmi se kanë qenë të infektuar.
“Një qarkore e tillë është diskutuar dhe draftuar. Është rekomanduar që t’u dërgohet nga ju si udhëheqës i këtij institucioni të gjitha subjekteve politike, që ata t’u përmbahen kërkesave dhe masave që janë caktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Arianit Elshani (PDK).
Ndërkaq anëtari i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, e ka përsëritur kërkesën që të gjithë zyrtarët t’i mbajnë maskat.
“Nëse është dikush pa maskë, shkruajeni fletëparaqitjen, sepse e di që maskat munden me i mbajtë edhe në bërryl. Por maska është për me u vendosë në gojë”, ka theksuar Kurteshi.
Sipas shefit të sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, janë duke u respektuar të gjitha masat dhe askush nuk mund të ketë qasje në institucion pa njërën prej dëshmive që kërkohen, qoftë edhe prej palëve të jashtme.
Njohës të proceseve zgjedhore lokale thonë se fushata e partive nuk duhet të jetë sikurse herëve të kaluara.
kësaj here duhet të koncentrohet kryesisht në idetë dhe projektet e tyre që kryesisht kanë të bëjnë me fushat e ndryshme e që bien në fushën e qeverisjes lokale. Në zgjedhjet e 14 shkurtit është vërtetuar që grumbullimi i madh i njerëzve në hapësira të caktuara paraqet rrezik dhe potencial për hapjen e virusit. Rrjedhimisht nga kjo është arsyeshme që partitë politike në këtë rast të reflektojnë dhe të tregojnë seriozitet karshi kësaj situate dhe të mos bëhen mekanizma të rrezikimit të shëndetit publik”, ka thënë Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP.
Pa nisur zyrtarisht fushata, partitë janë duke mbajtur tubime elektorale edhe në kundërshtim me masat anti -COVID. Për shkeljen e tyre, Policia e Kosovës e ka gjobitur Partinë Demokratike me 2.000 euro. Sipas Policisë së Kosovës, në tubimin e mbajtur në Rrezallë të Skenderajt, organizatori nuk ka krijuar kushte për mbajtje të distancës, ndërsa pjesëmarrësit ishin pa maska.
Partia Demokratike është në mesin e subjekteve që e ka mbështetur shkurtimin e fushatës.
“Deri tani sipas të dhënave nga terreni, Skenderaj po del të jetë më problematik, për shkak se kandidati nga PDK-ja, por edhe kryetari aktual që synojnë pozitën e të parit të Komunës, përkatësisht edhe një mandat për kryetar të Komunës, të dy këta kandidatë po ftojnë dhe po grumbullojnë numër të konsiderueshëm njerëzish në hapësira të caktuara e që kjo përveç se bie ndesh me vendimet anti-Covid, në të njëjtën kohë bie ndesh me zotimet që ka dhënë subjekti i tyre politik që do ta reduktojnë dhe modifikojnë fushatën kësaj here”, ka thënë Bekim Salihu (GAP).
Fillimisht kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, kërkoi shkurtimin e fushatës zgjedhore në vetëm 10 ditë. Ndërkaq pas mbledhjes së Kryesisë u vendos që LDK-ja të shfrytëzojë vetëm pesë ditë fushate.
Nëpërmjet një komunikate për media, bëhet e ditur se fushata mund të mos mbahet fare, varësisht nga gjendja pandemike.
“Kryesia e LDK-së, duke marrë për bazë gjendjen e rëndë shëndetësore në vend, gjendje e shkaktuar për shkak të keqmenaxhimit pandemik e të paprecedent, vendosi që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 5 ditë; me mundësi që, varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare. Fushata, ndërsa, do të mbahet vetëm në formë digjitale dhe në tubime duke i respektuar në përpikëri rregullativën në vend mbi tubimet publike”, thuhet në njoftim.
Propozimi u mbështet edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke kërkuar shkurtimin në pesë ditë.
Opozita kundërshtoi rekomandimin e IKSHKP-së për shtyrjen e procesit zgjedhor, për shkak të rrezikut nga rritja e numrit të rasteve me fatalitet. Pas konsultave me partitë, në mungesë të konsensusit presidentja njoftoi se data e zgjedhjeve lokale mbetet 17 tetori.
Pro shtyrjes së zgjedhjeve ishte partia që aktualisht udhëheq me Qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje.