Asnjëra prej subjekteve që janë pjesë e garës së balotazhit nuk ka publikuar ndonjë marrëveshje koalicionit, një javë pas mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve. Në Vetëvendosje kanë thënë se janë në negociata me subjektet e tjera, por nuk besojnë që do të publikohet ndonjë marrëveshje. Ndërkaq në PDK kanë paralajmëruar finalizimin e disa marrëveshjeve gjatë javës së ardhshme. Koalicionet nuk i kanë përjashtuar as LDK-ja e AAK-ja
Një javë pas raundit të parë të zgjedhjeve, partitë nuk i kanë zbardhur koalicionet e mundshme në balotazh, megjithëse janë në vlugun e negociatave.
Deri tash asnjë prej subjekteve nuk i ka përjashtuar aleancat lokale. Lëvizja Vetëvendosje është partia me më së shumti kandidatë në balotazh- gjithsej 12, përfshirë qendrat e mëdha si Prishtina, Prizreni, Gjilani e Podujeva.
Mytaher Haskuka, që synon edhe një mandat në krye të Prizrenit, ka thënë se janë duke diskutuar me subjektet e tjera. Por ka shtuar se nuk beson që do të zyrtarizohet ndonjë marrëveshje, derisa ka konfirmuar se ka mbështetjen e komuniteteve joshumicë.
“Për momentin nuk kemi asgjë. Mendoj se pas fitores duhet të bëhet një marrëveshje për ta pasur shumicën në asamble, por momentalisht nuk kemi. Nuk besoj se do të ketë zyrtarizim prej anës sonë. Komunitetet joshumicë nga fillimi kanë shprehur mbështetjen për kandidaturën time. Qëllimi ynë kryesor është puna me qytetarët, që ata të dalin sa më shumë në votime”, ka thënë Haskuka.
Sa i përket bashkëpunimit eventual me LDK-në, e cila ka dalë subjekt i tretë, Haskuka ka shtuar se ai direkt nuk është i përfshirë në diskutime, “por me siguri se partia po”.
Në zgjedhjet e vitit 2017, Haskuka kishte marrë mbështetjen e Nismës dhe të Alternativës.
Kundërkandidat i Haskukës do të jetë Shaqir Totaj nga PDK-ja. Në zgjedhjet e 2017-s Totaj mori mbështetjen e AAK-së dhe të Partisë Demokratike Turke.
Zyrtarë të PDK-së kanë thënë se gjatë javës disa degë do t’i zyrtarizojnë bashkëpunimet.
“Varësisht prej degëve, disa kandidatë tonë nuk e shohin të domosdoshme të bëjnë marrëveshje, përveç me votues, disa do ta ndajnë pushtetin, disa degë janë përcaktuar që të kenë rol neutral në këtë proces. Pra është çështje specifike e degëve. Nuk është që përjashtojmë ndonjë mundësi me ndonjë subjekt, por kemi kritere që të mos bashkëpunojmë me ata që kanë keqqeverisur”, ka thënë sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi.
“Si sekretar organizativ jam në kontakt të përhershëm me degët. Ato e kanë lirinë e plotë dhe janë duke negociuar. Varësisht prej komunës se me kë e kanë më të përafërt programin dhe me cilët mund të bashkëqeverisin më lehtë. Besoj se gjatë javës tjetër mund të ketë konkretizime të marrëveshjeve finale, por deri më tani nuk kemi. Ne e kuptojmë se kjo është garë lokale dhe si të tillë e kem lënë të rrjedhë, në mënyrë që degët t’i shohin nevojat e tyre dhe varësisht prej tyre të hyjnë në marrëveshje politike”.
I pyetur nëse PDK-ja do të qëndrojë neutrale në komunat e mëdha si Prishtina, Podujeva apo Gjilani, Gjoshi ka shtuar se mbetet në vullnetin e degëve.
kisha me u deklaru pa pasë vendime përfundimtare. Degët tona brenda javës së ardhshme do të marrim vendime dhe të gjitha do të jenë publike”, ka potencuar ai.
Partia Demokratike fitoi më së shumti komuna në raundin e parë, gjithsej katër. Ndërkaq është në balotazh në tetë të tjera.
E nga AKR-ja, që nuk arriti të fitojë në asnjë komunë, kanë thënë se nuk kanë pranuar ndonjë ofertë.
Për arsye se ende nuk i kem rezultatet preliminare, nuk ka pasë oferta, nuk kemi pasur asnjë kontakt”, ka thënë të dielën tashmë ish-kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, gjatë një konference për media, ku kërkoi rinumërim të votave. Në zgjedhjet e 17 tetorit ai mori 1.89 për qind të votave. Kurse kandidatët e kësaj partie për Kuvend Komunal të Prishtinës kanë marrë mbi 5 për qind.
<span;>Bashkëpunimet e mundshme nuk i ka zbuluar as Lidhja Demokratike që garon në tetë komuna. Në katër komuna kundër Vetëvendosjes, në dy kundër PDK-së dhe në dy të tjera kundër AAK-së.
Por një kandidat i saj që synon rikthimin e Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni, ka përjashtuar koalicionet me partitë e tjera. Ai në balotazh ka kundërkandidat kryetarin aktual nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.
E hapur për bashkëpunime është treguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka në balotazh katër kandidatë për kryetarë komunash./koha.net/