Partia Guxo ka reaguar pasi deputeti Haxhi Avdyli njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga kjo parti. Sipas një komunikate zyrtare, kryesia e partisë e ka pranuar dorëheqjen e tij, duke e cilësuar atë si një vendim të drejtë dhe zgjedhje të tij të vullnetshme.
Në reagim thuhet se Partia Guxo, në emër të anëtarësisë dhe përkrahësve, e falënderon Avdylin për rrugëtimin e përbashkët dhe kontributin e dhënë në parti deri më tani.
“Si kryesi e Partisë Guxo i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale”, thuhet në komunikatë.
Në të njëjtën kohë, partia ka reaguar edhe ndaj disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, duke theksuar se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet në debate të ulëta apo linçime publike ndaj askujt, e aq më pak ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fund, partia thekson se mbetet e përkushtuar për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetutshmërisë në të gjitha zhvillimet politike në vend.