I tërë sistemi arsimor do të jetë në grevë nga 25 gushti deri në arritjen e një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.
Kështu ka paralajmëruar për Front Online kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai ka thënë se greva do të filloj mbas dy dite që në orët e para të mëngjesit.
Jasharaj i vë fajin Qeverisë për këtë që po ndodhë në arsim, pasi sipas tij, kërkesat e tyre janë të arsyeshme për t’i realizuar.
“Nuk do të ketë mësim për nxënësit deri sa të vazhdon greva dhe kjo po ndodh për fajin e Qeverisë dhe kjo do të ndodh deri sa t’i realizon Qeveria kërkesat tona dhe të sindikatave të cilat janë të arsyeshme dhe të mundshme për t’i realizuar. Grevë do të ketë në sektorin e arsimit që nga çerdhet e deri tek administrata e universiteteve, por edhe në ato lokale dhe qendrore pastaj dhe në sindikatat e tjera. Ne jemi në përgatitje për grevën e 25 gushtit që do të filloj në ora 9 të mëngjesit”, u shpreh Jasharaj për Front Online.
Sipas Jasharajt, kjo grevë nuk është dëshirë e SBASHK-ut.
Ai thotë se shpresa e fundit për realizimin e disa kërkesave të tyre ishte takimi me zv. Kryeministrin, por edhe ky doli pa rezultate.
“Këshilli grevistë që është ngritur në nivel të BSPK-së dje ka zhvilluar një takim me kryetarin Atdhe Hykolli dhe zv. kryeministrin, Besnik Bislimi ky takim është vlerësuar si takim i thatë dhe pa ndonjë rezultat dhe mbetet vendimi i BSPK-së për t’u bërë publik, dhe ky ishte takimi që kemi mbajt shpresë por doli i zbrazët. Dëshira jonë nuk ishte për grevë sepse kemi bërë angazhime që çështjet t’i zgjedhim me dialog pas çdo greve që kemi bërë edhe e dërguam ndërmjetësuesin ligjor dhe Qeveria as këtë hapë tonin nuk e përfilli”, potencoi Jasharaj për Front Online.
Në ndërkohë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se MAShTI-i në koordinim me komunat i ka bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nagavci tha se paralajmërimet e SBAShK-ut për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim./ Front Online