Në raportin e Monitorimit të Koncesioneve për vitin 2021 që u publikua së fundmi nga Ministria e Financave thuhet si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave nga trafiku Autoriteti Kontraktues mund të aktivizojë rinegocimin e kontratës me mundësi uljen e tarifës së kalimit në sheshin e pagesës.
Në raport thuhet se nga 12 risqe të identifikuara në Koncesionin Rrugës së Kombit, Autoriteti Kontraktues ka mbajtur 3 risqe: riskun politik, riskun e qeverisjes dhe riskun e ndryshimeve ligjore, ndërsa tek Partneri Privat janë transferuar risku i ndërtimit, risku i transferimit të aseteve, risku i operimit dhe performancës dhe risku i ribalancimit të ekuilibrit financiar.
Ndërkohë, risku i kërkesës, risku financiar, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit dhe risku i ndërprerjes së kontratës janë ndarë mes palës private dhe publike. Në vitin 2018, për shkak të kundërshtimeve mbi tarifën e rrugës nga përdoruesit e rrugës si dhe nga banorët e qytetit të Kukësit, Sheshi i Pagesës (Toll Plaza) qëndroi për 6 muaj jashtë funksionit. “Megjithatë, për muajt operativ të ardhurat ishin më të larta se ato të parashikuara. Për vitin 2021 nuk është raportuar materializimi i ndonjë risku, por risku financiar, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit dhe risku i veprimeve negative të qeverisë (MAGA) janë klasifikuar si risqe të mesme dhe për riskun MAGA. Autoriteti Kontraktues shprehet se mundësia e materializimit të tij është e mundur në uljen e tarifës së kalimit në Sheshin e pagesës” thuhet në raportin e Monitorimit të Koncesioneve.





