Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka paralajmëruar padi ndaj Partisë Socialdemokrate pasi ky subjekt politik i shpalosi të dhënat personale të qytetarëve në një aksion para objektit të Qeverisë të hënën.
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka thënë se publikimi i të dhënave personale në peticione është i ndaluar me ligj, e kjo sipas saj, ishte bërë e ditur vitin e kaluar.
“Fillimisht, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) qysh në muajin korrik të vitit 2022-s ka lëshuar një komunikatë për media dhe një njoftim për qytetarët që shpërndarja e fletëve të peticioneve ku përmbahen këto të dhëna: emri, mbiemri, vendi i lindjes, numri personal sidomos por edhe numri i telefonit, janë të ndaluara në këndvështrim të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Prandaj, ne kemi konsideruar se tashmë sidomos kompanitë, institucionet por edhe në këtë rast partitë politike veç janë të vetëdijshme se një diçka e tillë nuk është e lejuar me ligj”, ka deklaruar Sogojeva-Dermaku.
PSD-ja i vendosi në oborrin e Qeverisë 205.000 peticionet e nënshkruara në vitin 2015 për kundërshtimin e Asociacionit të komunave serbe, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se i ka “shkelur” këto nënshkrime.
Fletëpeticionet, zyrtarja e AIP-së, ka thënë se po hiqen nga Policia e Kosovës e më pas do të asgjësohen.
Sogojeva-Dermaku ka deklaruar se të dhënat e qytetarëve të publikuar nga PSD-ja nëpërmjet aksionit, janë inspektuar dhe po analizohen.
“Publikimi i listave të tilla e ka tejkaluar qëllimin për të cilin janë mbledhur ato të dhëna, sepse të dhënat janë mbledhur për një qëllim të caktuar dhe asnjëherë të dhënat personale, të cilat mblidhen për qëllimin e caktuar nuk mund të përdoren për një qëllim tjetër dhe në këtë rast kemi përdorim të këtyre të dhënave për një qëllim tjetër, atëherë kemi shkelje të parimit të tejkalimit të qëllimit, por gjithsesi ne si Agjenci do të veprojmë sipas kompetencave tona dhe autorizimeve që parashihen me ligjin në fuqi e pastaj do të dalim me vendimet konkrete”, u shpreh ajo./eo