Një krizë e mungesës së fuqisë punëtore shumë shpejt do ta godasë Kosovën, ka paralajmëruar Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.
Në një deklaratë për “EkonomiaOnline”, Azemi për këtë është nisur nga deklarimi i shtetit gjerman se ka nevojë edhe për mbi 300 mijë punëtorë të huaj, e mbase shifra mund të shkojë deri në një milion. KOHA ka raportuar se vetëm në dhjetor kanë qenë 56 mijë aplikime nga kosovarët për viza pune në Gjermani.
“Me shifra zyrtare, Gjermania tash për tash ka nevojë për mbi 300 mijë punëtorë. Sipas disa të dhënave Gjermania do të ketë mungesë të rreth 1 milion punëtorëve dhe këta punëtorë do të orientohen normal dhe do të kalojnë më lehtë në shtetet perëndimore. Fatkeqësisht do të ketë një krizë shumë shpejtë të mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë”, ka thënë ai.





