Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka thënë se sindikatat po kanë presion nga anëtarët e vet që të përdorin hapa më radikalë për arritjen e qëllimeve të tyre, nëse Qeveria vazhdon t’i injorojë.
Në maj, një letër për nisjen e ndërmjetësimit mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Qeverisë së vendit i pati shkuar kryeministrit Albin Kurti. Yll Zekaj, ndërmjetësues i licencuar, pati kërkuar në emrin e BSPK-së nga Kurti që të konfirmojë interesimin për fillim të ndërmjetësimit në tri kërkesat e BSPK-së. Megjithatë, Zekaj ka konfirmuar se Qeveria nuk i është përgjigjur kërkesës as pas 15 ditëve afat.
E Hykolli ende beson që Qeveria do t’i hapë dyert për dialog social.
“Që nga dhjetori, jemi duke e pritur ligjin e pagave që është bërë problematik. Kemi pas disa muaj që na është thënë se është afër e deri më sot nuk e kemi. Ligji i pagave po e pengon edhe punën në Kosovë. Njerëzit nuk janë të kënaqur me pagën që e marrin. Sindikatat janë unike në kërkesat e tyre për mirëqenien e punëtorëve. Deri më tash, i kemi tejkaluar të gjitha pengesat që na pamundësojnë hapat sindikalë. E kemi shfrytëzuar edhe ndërmjetësuesin, i cili nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria. Po shpresojmë që mund të takohemi, ndryshe të gjitha sindikatat kanë presion nga anëtarët e vet për hapa më radikalë, për arritjen e qëllimeve tona. Por besoj që Qeveria do t’i hapë dyert për dialog dhe do të arrijmë marrëveshje për këtë ligj”, ka thënë Hykolli në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas kreut të BSPK-së, rritja e çmimeve po ua pamundëson një jetë të mirë të punësuarve në Kosovë.
“Çmimet kanë shkuar shumë lart e pagat kanë mbetur aty ku janë. Me rritjen e çmimeve, rritet edhe buxheti i Kosovës, dhe është dashur të rriten pagat. Shteti duhet të përgatitet për gjendjen çfarë e kemi. Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën ku jemi, pandemia, lufta, por jemi shumë të sigurt me një menaxhim më ndryshe të parasë publike do të ketë mundësi që sektori publik të mbështetet me nga 100 euro deri në miratimin e ligjit për paga. Për sektorin privat, Qeveria duhet të arrijë marrëveshje me punëdhënësit që t’i paguajnë punëtorët me 100 euro më shumë”, shtoi ai.
Sindikalistët e Kosovës po kërkojnë që në ligjin e pagave të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor; dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, konkretisht për pikën që kërkon 15 vjet kontribut në skemat pensionale para vitit 1999.
Hykolli në fund i bëri thirrje edhe një herë Qeverisë që ta pranojë ftesën për dialog social, në mënyrë që të shmangen protestat ose grevat.