LAJME

Paralajmërimi i veteranëve: Do t’ia zëmë derën Qeverisë, do të ketë edhe demonstrata

Paralajmërimi i veteranëve: Do t’ia zëmë derën Qeverisë, do të ketë edhe demonstrata
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Maj 2022, 15:47

Projektligji për Rritjen e Pagës Minimale nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Kjo për arsyen se nuk ka pasur kuorum për t’u votuar.

I njëjti është votuar nga vetëm 56 deputetë.

Si i tillë, ai do të hidhet në votim në njërën prej seancave të radhës.

Dështimit të votimit i ka paraprirë një debat i ashpër i nxitur nga opozita për shkakun se ligji nuk parasheh rritje të pensioneve të veteranëve.

Me këtë pagë nuk po pajtohet as opozita e as sektori privat.

Madje, nga opozita po e kundërshtojnë fuqishëm për shkak se veteranët e luftës do të jenë të përjashtuar dhe nuk do të përfundojnë nga kjo rritje, shkruan FrontOnline.

Lidhur me këtë, FrontOnline ka folur me Faton Klinakun, ushtrues detyre në pozitën e kryetarit tek Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Klinaku tha se, nëse ligji ndryshohet, pra nëse edhe veteranët e luftës nuk përfshihen brenda rritjes së pagës, atëherë ata do të dalin në rrugë.

Madje, ka paralajmëruar bllokadë e demonstrata para institucioneve të vendit.

“Veprimet tona janë me ia nza derën, mos me leju me hy brenda ose mos me leju me dalë jashtë. E, kemi thënë këtë qëndrim dhe nuk do të lëshojmë pe në këtë. Kemi me ia zënë derën, ose mos me lan me hy brenda ose mos me lan me dalë jashtë. Në këtë rast i bjen që do ketë demonstratë e jo protestë e që i bjen më e fuqishme se protesta. Demonstratë, bllokadë mos me leju me hy brenda ose mos me lejua me dalë jashtë Institucioneve”, është shprehur Klinaku, për FrontOnline.

Ndërsa, ka thënë se Qeveria këtë projektligj po e transmeton vetëm se si po iu konvenon atyre dhe me këtë po e shkelin edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kategorizim.

“Qeveria aktuale e ka propozua një ndryshim ligji që ndryshon disa ligje dhe në fakt po e shkel edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e shkel edhe ligjin për kategorizim sepse ata po e transmetojnë vetëm një nen si po iu konvenon atyre, e ligji për kategorizim thuhet që futet në fuqi vetëm kur të kryhet kategorizimi do të thotë nenin që këta po mendojnë që është hjek nuk është e saktë sepse atë nen mundet me hjek vetëm ligji tjetër nëse vjen në fuqi, dhe ai kryhet kur të bëhet kategorizimi e kategorizimi nuk ka filluar që pesë vjet”, ka thënë ai.

Këtë projektligj, i cili i lë jashtë rritjes së pagës veteranët, e kanë kritikuar edhe nga opozita.

Ka qenë Avdullah Hoti, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka thënë se ky projektligj po rregullon përfitimet vetëm për një pjesë të shoqërisë.

Tutje ai ka thënë se pushteti përmes këtij projektligji po shkëput pensionin e veteranit me pagën minimale, duke shtuar se pensioni për veteranët e luftës është burim i të ardhurave e jo përfitim.

“Mënyrën se si e keni shkru këtë ligj, ju targetoni vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë. Po ashtu hiqet lidhja e pagës minimale me përfitimet që marrin veteranët e luftës. Një veteran i luftës, nëse merr pensionin e veteranit të luftës nuk mund të punojë. Përfitimet që marrin veteranët e luftës është burim i të ardhurave dhe jo shpërblim”, ka thënë Hoti.

Kujtojmë se sot, pensioni i veteranit dhe paga minimale janë të njëjta, në shumën 170 euro.

Ndërsa me projektligjin e ri, paga minimale pritet që të rritet në 250 euro neto, ndërsa pensioni i veteranit nuk do të lëvizë fare, pra do të jetë në vlerën e njëjtë, në 170 euro./FrontOnline

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika