Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’ia vazhdojë masën e arrestit shtëpiak për dy muaj të tjerë të pandehurit Dejan Pantiq.
Departamenti Special i kësaj gjykate pas kërkesës së Prokurorisë Speciale një ditë më parë, ka vendosur që t’ia vazhdojë këtë masë Pantiqit, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Terrorizëm në bashkëkryerje”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 05.01.2023 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit D.P i vazhdohet masa e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje edhe për 2 (dy) muaj, ashtu që Arresti Shtëpiak vazhdohet deri me datën 09.03.2023, konform nenit 183 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Ish-polici serb Dejan Pantiq, u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor. Pas arrestimit të tij, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë.
Këto barrikada që qëndruan për tri javë, u larguan vetëm pas ndryshimit të masës gjyqësore ndaj Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.