“1 Maji” është dita ku në gjithë botën bëhet thirrje për respektim të të drejtave të punëtorëve.
Në shumë shtete këtë ditë protestohet duke kërkuar më shumë të drejta për punëtorët.
Edhe këtë vit, në Kosovë punëtorët “1 Maji” i gjen me problemet e sfidat e njëjta.
Kryetari i Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë (BSPK), Avni Ajdini ka rrëfyer për Front Online për sfidat me të cilat përballen punëtorët e sidomos sektori privat.
Ai thotë se këtë vit punëtorët i ka goditur edhe pandemia që ka vështirësuar gjendjen ekonomike të tyre.
“Për fat të keq edhe ky vit punëtorët i ka gjetur në një situatë të palakmueshme duke marrë për bazë tani për tani një pandemi që e ka kapluar Republikën e Kosovës, por edhe botën, ka pasur ngarkesa mjaft, por edhe kjo e ka ngarkuar kështu që i ka zënë punëtorët me shumë probleme”, ka thënë Ajdini për Front Online.
Kryesindikalisti Ajdini: Politikanët në fushatë premtojnë, në pushtet nuk realizojnë
Kryesindikalisti Ajdini ka thënë se të gjitha qeveritë e deritanishme kanë premtuar gjatë fushatës, por premtimet e tyre nuk janë realizuar asnjëherë.
“Për fat të keq këtu në republikën tonë shkelësit më të mëdhenjtë të ligjit he moszbatimin e tyre e kanë qeveritarët e tanë dhe këtu jemi në atë problematik, sepse udhëheqësit tonë edhe e pandërgjegjshme ndaj premtimeve të cilat i ka dhënë gjatë fushatave të cilat nuk i realizon”, ka thënë Avni Ajdini.
Ajdini ka renditur disa nga premtimet që nuk u realizuan ndër vite nga politikanët.
“Duke marrë për bazë nga viti 2013 paga minimale nuk ka lëvizur edhe pse është premtuar disa herë paga minimale ka mbetur aty ku është por edhe marrëveshja kolektive nuk është nënshkruar pas vitit 2017 edhe kjo ka skaduar. Nuk është bërë skema pensionale të cilën punëtorët të cilët kanë punuar në ish-sistemin kanë mbetur pa e realizuar të drejtën e tyre për të marrë pension të plotë dhe këtë çështje nuk e ka rregulluar qeveria jonë. Siguria dhe shëndeti ende nuk janë, jemi i vetmi shtet që ende nuk kemi sigurim shëndetësorë, ka thënë ai për Front Online.
BSPK-ja me 5 kërkesa për kryeministrin Albin Kurti
Ajdini thotë se shpresat i kanë te qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti në realizimin e kërkesave të tyre.
Sindikalistët tashmë kanë të gatshme 5 kërkesa për Kurtin.
“Shpresa ka mbetur në këtë qeveri të ndryshimit. Në këto 5 kërkesa të sindikatës është, Marrëveshja Kolektive, Paga Minimale, Skema Pensionale, Siguria dhe Shëndeti në Punë dhe Ligji mbi Sigurimin dhe Barazinë e Pagave sipas Ligjit, sepse ka aty diskriminim”, shprehet ai.
Përveç kërkesës direkte për kryeministrin Kurti, sindikalistët kërkojnë edhe nga ministri i Punës Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati që të thërras Këshillin Ekonomiko-Social.
“Iu kam drejtuar edhe Hekuran Muratit që sa më shpejtë të thërras Këshillin Ekonomiko-Social që të startojmë me problemet aty ku kanë ngelë, që të fillojmë hap pas hapi me një realizim të tillë”, ka thënë Ajdini për Front Online.
Kryesindikalisti i Kosovës: Pandemia goditi sektorin privat, u rrit papunësia
Ekonomia e Kosovës është ndër më të goditurat në rajon nga pandemia COVID-19. Derisa për një kohë të gjatë vendi ka shënuar rritje ekonomike mesatare prej 4%, vitin e kaluar Kosova për herë të parë ka pasur rënie ekonomike prej 7%.
Për shkak të pandemisë, shumë biznese kanë raportuar se u është vështirësuar operimi. Madje qindra sosh janë mbyllur, me ç’rast është raportuar se shumë punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës.
Këtë vit si pasojë e pandemisë BSPK-ja do të ketë si aktivitet vetëm një tryezë pune.
“Nuk mundemi që ta organizojmë një protestë masive për të drejtat e punëtorëve, por me 30 (prill) kemi vendosur që në kemi një tryezë me sindikatat anëtare”, ka treguar Ajdini për Front Online.
Pandemia ka shkaktuar dëme ekonomike në pothuaj gjithë sektorët e ekonomisë por gastronomia hoteleria poashtu edhe ndërtimtaria kanë qenë më të prekurit.
“Sa i përket pandemisë në anën ekonomike na ka dëmtuar mjaft në sektorin privat, në ndërtimtari edhe sektorin e gastronomisë por edhe sektorin e hotelerisë.
Këtu kemi një humbje të ekonomisë kemi një rënie të ekonomisë dhe një ngritje të papunësisë”, ka thënë ai.
Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, organizohet më 1 maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.