Takimi i presidentit Donald Trump në Zyrën Ovale me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shndërrua në arenë britmash, me liderin amerikan që i tha udhëheqësit të Ukrainës “bëni një marrëveshje ose ne tërhiqemi” derisa po flisnin me zemërim rreth natyrës së mbështetjes së SHBA-së dhe nëse Zelensky kishte treguar mjaftueshëm mirënjohje për qasjen amerikane, ka raportuar televizioni amerikan, CNN.
Udhëheqësi ukrainas kish shpresuar të apelonte për ndihmë të vazhdueshme të sigurisë nga SHBA.
Para se takimi ndërmjet Trumpit dhe Zelenskyt të kthehej në një shkëmbim të nxehtë, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se ai dhe Zelensky do të nënshkruanin një marrëveshje për burimet natyrore në një konferencë për shtyp më vonë pasdite.
“Ne do të nënshkruajmë marrëveshjen në konferencën në Dhomën Lindore, menjëherë pas drekës” – u ka deklaruar Trumpi gazetarëve brenda Zyrës Ovale. “Është disi një moment emocionues, por momenti vërtet emocionues është ai kur ndalin të shtënat dhe ne finalizojmë marrëveshjen. Dhe unë mendoj se ne jemi mjaft afër për ta arritur atë”.
Trump ka deklaruar se “ne nuk e dimë saktësisht se sa para do të derdhë SHBA-ja në “fondin e investimeve të rindërtimit” me marrëveshjen me Ukrainën.
“Ne do të derdhim disa para në një fond që do të marrim nga xehet e papërpunuara, që do ta marrim dhe do ta ndajmë për sa i përket të ardhurave. Pra, do të jenë shumë para që do të bëhen nga shitja dhe përdorimi i xeheve të papërpunuara” – ka theksuar Trump. “Vendi ynë nuk ka shumë xehe të papërpunuara. Ne kemi shumë naftë dhe gaz, por nuk kemi shumë xehe të papërpunuara”.
Trump refuzoi të ofrojë detaje nëse administrata e tij do të ofronte ndihmë shtesë për sigurinë pas marrëveshjes së pritshme të së premtes për mineralet me Ukrainën, duke u thënë përsëri gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai beson se presidenti rus, Vladimir Putin, është “shumë serioz”, për përfundimin e luftës, “dhe kur të arrihet marrëveshja, nuk mendoj se ne flasim për sigurinë”.
“Të gjithë po flisnin për ditën tjetër, gjithçka që ata folën ishte siguria” – ka deklaruar Trump. “Unë thash: ‘Më lejoni të bëj marrëveshjen fillimisht, unë duhet ta bëj marrëveshjen së pari.’ Nuk shqetësohem për sigurinë tani, ne duhet të kemi një marrëveshje. Sepse tani, javën e kaluar, 2.000 ushtarë vdiqën nga të dyja anët, 2.000 dhe po humbasin nga 1.000, 2.000, 3.000 syresh në javë. Pra, ndërsa ne ulemi këtu dhe flasim, njerëzit po pushkatohen dhe po vdesin në fushën e betejës”.
Presidenti, i cili më parë ka thënë se Ukraina do të duhet të heqë dorë nga aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe mund të detyrohet t’i dorëzojë Rusisë disa territore për t’i dhënë fund luftës, por ka refuzuar të thotë se cilat janë ato. Zelensky ka deklaruar se qëllimi i tij është të “shpëtoj vendin tonë, vlerat tona, lirinë tonë, demokracinë. Dhe, sigurisht, nuk ka kompromise me Putinin”.
“Unë mendoj se ju do të duhet të bëni gjithmonë kompromise” – ia ktheu Trump. “Nuk mund të bësh asnjë marrëveshje pa kompromise. Pra, me siguri (Zelensky) do të duhet të bëjë disa kompromise, por shpresojmë se ato nuk do të jenë aq të mëdha sa disa njerëz mendojnë se ju do të duhet të bëni. Kjo është gjithçka që mund të bëjmë”.
Volodymyr Zelensky sapo është larguar nga Shtëpia e Bardhë pas shkëmbimit të tij të zjarrtë të fjalëve me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe zëvendëspresidentin JD Vance, raporton BBC.
Në transmetim të drejtpërdrejtë të hyrjes së Krahut Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë është parë se presidenti ukrainas del me nxitim nga dera dhe futet në një makinë të zezë të eskortës, me të cilën është larguar.
Pak çaste më parë, Trump postoi në platformën e tij “Truth Social” se Zelensky “nuk ka respektuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.
Konferenca e planifikuar për shtyp midis Zelenskyt dhe Trumpit është anuluar, sipas Shtëpisë së Bardhë, pas takimit të tensionuar të dy presidentëve në Zyrën Ovale./Kallxo.com/