Gjykata Themelore në Gjakovë, këtë të premte ka shpallur aktgjykim lirues ndaj katër personave, ku në mesin e tyre është edhe ish-kryetari i Gjakovës, tani deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Sipas Gjykatës Themelore në Gjakovë, i pandehuri G.R., lirohet ga aktakuza për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, P.L dhe I.L të cilët akuzoheshin se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrat” si dhe V.H i cili akuzohej për veprën penale “Mashtrim lidhur me subvencionet”, tashmë janë liruar nga aktakuza
“Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave, si dhe rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë”, thuhet në njoftimi e gjykatës.
Pal Lekaj, dhe i dyshuari tjetër me iniciale I.I, akuzoheshin se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve gjatë periudhës 2008-2014, ku Lekaj në atë kohë ishte kryetar i Gjakovës, ndërsa personi tjetër me iniciale I.I ishte drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë.
“Të pandehurit P.L. dhe I.I., akuzohej se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “U.-V.”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”.
“Ndërsa i pandehuri V.H., akuzohej se në cilësinë e përgjegjësit kryesor të biznesit “U.-V.”, me seli në Gjakovë, në periudhën kohore 2008-2014, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë”, thuhet në komunikatë, përcjell Klankosova.tv..
Ndërsa, i pandehru G.R, akuzohej se gjatë periudhës 2008-2012 në cilësinë e personit financiar në komunën e Gjakovës, kishte bërë alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare me qëllim të përfitimit për vete ose për personin tjetër.
“I pandehuri G.R., akuzohej se gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare. Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT U.-V.”, me pronar V. H., për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjakovë.