Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, brenda një dite kanë ndodhur 1 aksident me fatalitet, 12 aksidente me të lënduar dhe 22 aksidente me dëme materiale.
Në një aksident janë përfshirë dje pasdite dy vetura në rrugën Ferizaj – Shtërpcë, saktësisht në fshatin Firajë, ku si pasojë është lënduar shoferi që po drejtonte veturën me targa të Maqedonisë së Veriut. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet në rrugë.
Si pasojë e shpërqendrimit dhe pakujdesisë të shoferëve, viktima në shumë raste janë edhe këmbësorët. Kështu e ka pësuar një grua e moshuar në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Shoferi që po drejtonte automjetin ka goditur të moshuarën duke e përplasur në trotuar dhe si pasojë ajo është dërguar në gjendje të rëndë në spital. Ndërkohë shoferi nuk është identifikuar ende nga Policia.
Një tjetër aksident trafiku ka ndodhur në rrugën rajonale Klinë – Skenderaj, përkatësisht në fshatin Rezallë, ku për shkak të pakujdesisë dhe mospërshtatjes së shpejtësisë së veturës me kushtet e rrugës, një 31-vjeçarë ka hyrë në tejkalim në kundërshtim me rregullat e komunikacionit. Si pasojë në një moment ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka goditur me pjesën anësore veturën anash tij dhe atë që povinte përballë. Tre persona janë lënduar dhe të njëjtit janë dërguar me urgjencë në spital.
E një vetaksident e shkaktoi një shofer që po lëvizte në rrugën Gjilan – Prishtinë. Në fshatin Livoq i Epërm ai dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar në spital për tretman mjekësor.
Por të njëjtin fat nuk e pati edhe 29-vjeçari, Elvis Zogaj. Ai humbi jetën në një vetaksident mbrëmë në fshatin Lubozhdë të Istogut rrugës për në fshatin e lindjës-Kaliqan.
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.