Pagat e punëtorëve në sektorin publik janë ekzekutuar të martën, me një ditë vonesë nga ajo që e parasheh Ligji për zyrtarët publikë.
Punëtorë të sektorit publik konfirmuan se pagat u dolën në llogari gjatë pasdites, por në Ministri të Financave nuk dhanë kurrfarë sqarimi se mbi çfarë baze ligjore janë ekzekutuar ato.
Ema Pula, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ka thënë se Ministria duhet ta justifikojë vendimin për ekzekutim të pagave.
“Ne nuk e kemi të qartë se nga kush është nënshkruar apo në çfarë cilësie ai ceku që është si veprim paraprijës për ekzekutim të pagave. Pra, mbetet e paqartë apo pikëpyetje se si janë ekzekutuar pagat, mbi çfarë baze ligjore”, ka thënë Pula.
Vonesa në ekzekutimin e rrogave ndodhi pasi ushtruesit paraprak të detyrës së drejtorit të Thesarit i skadoi mandati i paraparë me ligj, gjashtë plus gjashtë muaj të tjerë. E Ministria e Financave nuk i ka kryer me kohë procedurat e përzgjedhjes së një drejtori të Thesarit.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se vonesat që i shkaktoi shteti si pasojë e keqmenaxhimit përbëjnë shkelje ligjore, për të cilat ministri i Financave duhet të japë përgjegjësi.
“Qartazi do të duhej të mbahej përgjegjësi morale dhe politike në atë mënyrë që të paktën të kishte dorëheqje nga ministri i Financave. Nëse jo, definitivisht i njëjti do të duhej të shkarkohej nga kryeministri”, ka deklaruar Shala.
Në shoqërinë civile vlerësuan se situata të tilla janë pasojë e praktikës së mbajtjes së pozitave drejtuese me ushtrues të detyrës, edhe pas kalimit të afateve ligjore.
“Pas tejkalimit të këtij afati njëvjeçar, ka edhe një pasojë tjetër juridike përveç paligjshmërisë në vetvete, është që çdo vendim i ushtruesve të detyrës është i jashtëligjshëm”, ka shtuar Pula.
Problematikën që sjellin pozitat me ushtrues detyre e ka potencuar edhe Shala.
“Çështja e mbajtjes së pozitave të larta drejtuese me ushtrues detyre është një problematikë në vete që nuk është e shprehur vetëm në rastin konkret, por në shumë situata, saqë mund ta quajmë qeverisje me ushtrues detyre”, ka thënë Shala.
E Pula ka folur edhe për fenomenin e ushtruesve të detyrës që ka prekur edhe Qeverinë dhe agjencitë.
“Nga 16 ministri, janë 8 sekretarë ushtrues detyre, dhe nga 38 agjenci, janë 29 agjenci me ushtrues detyre. Mund të supozojmë që është për arsye politike, të ndikimit politik. Kur kemi monitoruar proceset e rekrutimit, kemi vënë re që në shumicën e institucioneve, nuk i hapin konkurset. Mund të shihet si e qëllimshme”, ka thënë ajo. “Ka qenë Ministria e Industrisë, pozita e sekretarit që tre vjet si ushtrues detyre dhe personi ka ndryshuar rreth 8 herë. Kemi rastin në Zyrën e Kryeministrit të Sekretarit të Përgjithshëm që gati 3 vjet i njëjti është ushtrues detyre. Në Ministrinë e Financave ka 4 vjet që kjo pozitë ushtrohet me ushtrues detyre”./koha/