LAJME

Pacolli reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për Ibër-Lepencin: Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi ndaj një shteti tjetër

Pacolli reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për Ibër-Lepencin: Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi ndaj një shteti tjetër
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Gusht 2026, 08:06

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, i ka cilësuar si “thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme” deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin Ibër-Lepenc.

Përmes një reagimi, Pacolli ka thënë se resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër.

“Deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin Ibër-Lepenc janë thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme” – ka shkruar Pacolli.

Ajo është thirrur në Konventën e Helsinkit, duke theksuar se shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe të parandalojnë dëmet ndërkufitare dhe të mbrojnë ekosistemet ujore.

“Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër” – ka deklaruar Pacolli.

Sipas saj, Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc përbëjnë infrastrukturë kritike strategjike të Kosovës dhe kanë rëndësi për furnizimin me ujë të pijshëm, sektorin energjetik, bujqësinë dhe ekuilibrin mjedisor.

“Prandaj, çdo deklaratë apo veprim që synon ndërhyrjen, dëmtimin, devijimin ose ndryshimin e njëanshëm të rrjedhave ujore dhe infrastrukturës ujore, me pasoja për Kosovën, nuk është çështje e politikës ditore”- ka shkruar ajo.

Pacolli ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i trajtojë me seriozitet deklaratat e tilla, duke iu bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë.

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të kërkojnë respektimin e plotë të parimeve dhe detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare” –  ka deklaruar Pacolli.

Në fund, ajo ka thënë se Kosova do t’i mbrojë resurset ujore dhe infrastrukturën kritike.

“Republika e Kosovës do të mbrojë resurset e saj ujore, infrastrukturën kritike dhe interesin e qytetarëve të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare” – ka përfunduar Pacolli.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika