Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se qytetarët tash do të kenë mundësi që ta përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës së banimit. Kjo është mirëpritur nga qytetarët ku sipas të cilëve, do të evitohen pritjet e gjata, si dhe do të ketë më shumë efikasitet në punë nga ana e stafit shëndetësor.
Pacientët së shpejti do të kenë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e mjekut të tyre familjar nëpërmjet Planit të Veprimit për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor, i cili është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. Plani parasheh që secili qytetar të ketë mundësinë që të përzgjedhë mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe të ketë qasje në shërbimet shëndetësore në kohën e duhur e sipas kërkesës. Kjo gjë, po mirëpritet nga qytetarët. Ata për Radio Kosovën janë shprehur të kënaqur nëse do ta kenë mundësi që të përzgjedhin mjekun e tyre.
“Nëse do ta kishte secili qytetar mjekun e tij personal, do të ishe më mirë. Mendoj që është shumë ide e mirë që secili pacient ta ketë mjekun e tij personal. Sepse mjeku personal ta di gjendjen shëndetësore dhe e përcjell situatën e pacientit. Gjithkush ta ketë mjekun e tij familjar është më mirë, sepse zvogëlohen pritjet dhe efikasiteti është më i madh dhe evitohen pritjet”, deklaroi një pacient për Radio Kosovën.





