Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla ka njoftuar se protesta e radhës në përkrahje të çlirimtarëve, pritet të mbahet më 13 dhjetor në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Kjo u bë e ditur përmes një konference për media ku ndër të tjera tha se për këtë protestë janë dakorduar edhe me Ali Ahmetin dhe me bashkëluftëtarët që kanë në Maqedoninë e Veriut.
“Ju e dini që kësaj konference i ka parapri një vizitë e liderit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti. Qysh në atë kohë ju kemi bërë me dije që do të organizohet edhe një protestë në Shkup. Data e kësaj proteste është caktuar e ajo është më 13 dhjetor në orën 13:00 në sheshin ‘Skënderbeu’, në Shkup kundër padrejtësisë që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Fillimisht ju njoftojmë që ne si kategori e dala nga lufta së bashku me një kategori të personave të dala nga lufta në Maqedoninë e Veriut jemi dakorduar për mbajtjen e kësaj proteste. Kemi marrë mbështetjen edhe të Ali Ahmetit me të bashkëluftëtarët që i kemi atje”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.





