Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar udhëheqjen e Shqipërisë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një moment që ajo e ka cilësuar si historik për shtetin shqiptar dhe për gjithë rajonin.
Në një postim në platformën “X”, Osmani ka shprehur urimet e saj për presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe qytetarët e Shqipërisë, duke theksuar se ky zhvillim konfirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
“Urime për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në — një hap historik që e afron edhe më shumë Shqipërinë dhe rajonin tonë me Bashkimin Evropian. Kosova sot feston së bashku me Shqipërinë këtë arritje, teksa vazhdojmë pandalur rrugën tonë drejt BE-së”, shkroi Osmani.
Ajo shtoi se ky progres i Shqipërisë është një mesazh shprese për të gjithë qytetarët e rajonit që synojnë integrimin evropian.
