Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar Policinë e Kosovës me rastin e 22-vjetorit të themelimit, duke thënë se janë mirënjohës për punën profesionale të saj.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se gra e burra të policisë së Kosovës janë shembull i përkushtimit dhe devotshmërisë ndaj shtetit dhe për këtë ju jemi mirënjohës.
“Në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, respekt e nderim për profesionistët, ruajtësit e rendit, kujdestarët e sigurisë sonë. Megjithëse forcë e re e rendit, Policia e Kosovës prej dy dekadash ka rritur shkallën e profesionalizmit me të cilën mburremi.
Përpjekja jonë për sundimin e ligjit nuk duhet pushojë asnjëherë. Këtë rrugë të nisur duhet ta kemi synim të çdoditshëm në ofrimin i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Police e policë të dashur të Kosovës, urime 22- vjetori themelimit! Faleminderit që çdo ditë kujdeseni për garantimin e një mjedisi të qetë, të cilin e dëshirojmë të gjithë, e i cili bëhet i mundshëm në saje të profesionalizmit tuaj”, shkruan Osmani.
Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.