Presidentja Vjosa Osmani, gjatë homazheve në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër në 24 vjetorin e masakrës në këto dy fshatra, ka thënë se ajo që ka ndodhur më 17 prill 1999 është ndër dëshmitë më të fuqishme që tregon se qëllimi i regjimit serb ishte shfarosja e popullit shqiptar.
Ajo ka shtuar se kryesit e kësaj masakre dihen me emër e mbiemër dhe ka prova të mbledhura për ta, megjithatë dënimi i tyre është shpërblimi me pozicione të larta në Policinë e Serbisë.
“Është një prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Në Poklek ka ngjarë një holokaust i vërtetë. Diku 50 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica dërmuese për tyre fëmijë fillimisht janë ekzekutuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen gjurmët. Janë dëshmi se si akoma nuk ka drejtësi për viktimat e popullit tonë. Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptarë të mos mbetet në tokën e Kosovës. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek dihen me emër dhe mbiemër, për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendosë drejtësi dhe ata që kanë urdhëruan këto masakra në fakt po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në Policinë e Serbisë”, ka thënë ajo.
Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se 17 prilli është ditë e dhimbjes, por edhe e krenarisë.
“Janë akte të gjenocidit që i kanë bërë forcat serbe mbi popullin tonë. Është ditë e dhimbjes, por edhe e krenarisë për arsye se pikërisht falë këtij gjakut të derdhur të popullit të Kosovës dhe sakrificave të panumërta që ne i kemi bërë si popull dhe si shoqëri. Ne kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe kundër gjenocidit të Serbisë mbi popullatën kryesisht të pa mbrojtur dhe të pafajshme të shtetit tonë”, ka thënë ai.