Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.
Sipas një komunikate për media, të enjten në orën 14:00, Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.
Pas përfundimit të takimit, presidentja Osmani dhe Stoltenberg do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media.
Gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer si dhe gjithashtu, do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith por dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.
“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”- thuhet gjithashtu në komunikatë.
Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, Osmani sot është takuar me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, Osmani u njoftua nga gjenerallejtënant Jashari me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies se ushtarëve dhe ushtarakëve të FSK-së.